Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme antikorrupsion pushoi çështjen ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame.
Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Posaçme vjen me kërkesë për pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ka prova që implikojnë këta dy persona në vrasjen e Lames.
Herën e parë, trupa e gjykimit ia ktheu kërkesën prokurores Elida Kaçkini, duke kërkuar nga kjo e fundit hetime shtesë.
Akuza ndaj Lulzim Berishës dhe Plaurent Dervishaj u ngrit pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit iu hapi probleme emrave të njohur të botës se krimit, që vepronin kryesisht në Tiranë, Durrës e Vlorë.
Disa vite më parë, në tre rrëfime, Reçi foli për të gjithë veprimtarinë kriminale të Berishës dhe anëtarëve të tjerë të bandës së tij.
Vajdin Lame, presidenti i Federatës së Boksit dhe truproja e tij Artan Arsi u vranë në 27 shkurt të vitit 2005, në njërën nga kullat pas stadiumit “Qemal Stafa”.
Lame dhe Arsi u ekzekutuan me një sasi eksplozive e cila ishte vendosur ne ashensorin e pallatit ku jetonte Vajdin Lame.
Ky i fundit vdiq në vend, ndërsa Artan Arsi ndërroi jetë rrugës për spital.
Për ngjarjen e shkurtit të vitit 2005, janë marrë të pandehur Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.