SPAK ka përfunduar hetimet dhe personat që tentuan të joshin përmes parave të penduarin e drejtësisë Luftar Reçi për t’u tërhequr nga dëshmia, do të gjykohen për korrupsion.
Gentian Koskova i njohur me pseudonimin (Reqi) dhe Ervis Kosova akuzohen nga SPAK për “Korrupsion aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”, kryer në bashkëpunim.
Sipas prokurorisë së posaçme këta dy shtetas kanë tentuar që përmes ofrimit të parave të joshin dëshmitarin e drejtësisë, Luftar Reçi të tërhiqet nga dëshmia e tij, që implikoi në dy vrasje personazhe të njohur të botës së krimit.
Tentativa e korrupsionit ka ndodhur në burgun e Drenovës, i penduari Luftar Reçi rrëfeu të dhëna që çuan në zbardhjen e vrasjeve të bujshme të vitit 2005 të Klodian Saliut në Durrës dhe Vajdin Lames me eksploziv në Tiranë.
SPAK ka marrë të pandehur Emiljano Shullazin, Indrit Taullajn, Viktor Ymerin dhe vetë Reçin, ndërsa Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj ndodhen në arrati.
Sipas dosjes hetimore, lëvizjet kanë nisur që në qershor të vitit 2021 deri në fillim të shtatorit. “Reqi i Korçës”, ka hyrë në lidhje me Luftar Reçin përmes Luçiano Memos, duke i ofruar 260 mijë euro në këmbim të tërheqjes së dëshmisë që implikonte Shullazin, në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame.
Sipas dosjes penale, Luftar Reçi fillimisht do të merrte paraprakisht 40 mijë euro dhe 10 milionë lekë të vjetra, për të krijuar besim.
Pasi të ndryshonte dëshminë, Reçi do të merrte edhe 210 mijë euro të tjera. Pasi i kanë bërë ofertën prej 260 mijë euro, Luftar Reçi, ka vendosur të sinjalizojë SPAK.
Prokurorët, për të fituar kohë me qëllim kryerjen e veprimeve hetimore, e kanë instruktuar Luftar Reçin që të kërkonte dy javë kohë për t’u menduar.
Kjo përgjigje ka nervozuar të implikuarin dhe njerëzit e tyre, pasi ata kërkonin që dëshmia të ndryshohej sa më shpejt për shkak të frikës së mbylljes së hetimeve nga SPAK dhe referimin e dosjes për gjykim në gjykatë.
Në këto rrethana, thuhet në dosje ka nisur të aplikohet plani B, që parashikonte eliminimin fizik të bashkëpunëtorit të SPAK-ut, Luftar Reçi. Plani ishte thurur që Reçi të vritej brenda në burg, me anë të helmimit të ushqimit, por gjithçka është zbuluar dhe ndjekur nga SPAK.
Operacioni për zbardhjen e këtyre ngjarjeve u kodua ‘asgjë nuk harrohet’, ndërsa avokatët e të akuzuarve e kanë cilësuar të pabesueshme dëshminë e Luftar Reçit.