Dy të dyshuarit për vrasjen e vajzës së mitur 2-vjeçare Danka Iliq në qytetin serb të Borit janë lënë në paraburgim. Këta punonjës të ndërmarrjes publike “Vodovod” në Bor të dy të moshës 50-vjeçare, pasi e goditën me veturë Danka Iliqin e fshehën trupin e saj në një vendndodhje ende të panjohur për policinë serbe.
Policia ka arrestuar edhe babain dhe vëllain e njërit prej të dyshuarve për vrasjen e Danka Iliqit pasi dyshohet se kanë ndihmuar në lëvizjen e trupit të vrarë të vajzës së mitur. Atyre u është caktuar masa e ndalimit në paraburgim për 30 ditë sepse akuzohen për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim.
Masa u mor edhe për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar mbi dëshmitarët, asgjësimin ose heqjen e gjurmëve të kryerjes së veprës penale si për shkak të shqetësimit publik. Ata e kanë pranuar krimin e rëndë që ka tronditur opinionin publik serb e më gjerë. Kërkimet për trupin e vajzës së vrarë po vazhdojnë, në disa lokacione në zonën e Borit nga policia serbe në bashkëpunim me Interpol-in.
Është kontrolluar edhe ferma e gjyshit të njërit prej të dyshuarve. Vetë autorët e vrasjes kanë deklaruar se trupi i vajzës ndodhej në landfillin e qytezës, por trupi i saj ende nuk është gjetur. Qytetarët e Borit vijojnë të vendosin lule e të ndezin qirinj pranë Shtëpisë së Kulturës si dhe t’i dërgojnë ngushëllime familjes Iliq.
Pasditen e 26 marsit, e mitura ishte duke luajtur në oborrin e banesës së saj, kur është përplasur nga mjeti “Fiat Panda” me të cilin po qarkullonin punonjësit e ujësjellësit. Por edhe pas aksidentit, e mitura ishte ende gjallë.
Megjithatë në vend që ta ndihmonin, një nga të dyshuarit kryesorë ka dalë nga vetura dhe e ka mbytur me duar fëmijën. Më pas, e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë fshehur kufomën, e cila deri më tani ende nuk është gjetur. Pasi dy vrasësit të zbulojnë se ku është trupi, kufoma do të çohet në morg, ku edhe do të zbulohet shkaku i saktë i vdekjes.
Dy vrasësit u ndaluan që ditën që nisën hetimet dhe pretenduan se nuk kishin asnjë lidhje me zhdukjen e vrasjes. Por kanë qenë të dyshimtë për Policinë, e cila i ka mbajtur nën vëzhgim. Ndërkohë paralelisht të dy e kishin pastruar makinën me acid për të zhdukur çdo gjurmë gjaku…përveç një pike që i zbuloi.
Por megjithatë momenti kyç i zbulimit të tyre ishte publikimi i videos nga Vjena, ku mendohej se ishte trafikuar e mitura. Sapo videoja u publikua, njëri i shkroi tjetrit: ‘E pe atë në Vjenë, ia dolëm!’ Kështu që të dyve iu vendosën prangat.
Sipas raportimeve të mediave vendase, Dejani ka folur menjëherë sapo është përballur me faktet dhe ka qarë në Komisariatin e Policisë, ndërsa Jankoviq ka folur vetëm kur është marrë në pyetje në gjuhën vllahe. Aktualisht dyshohet se dy punëtorët e Ujësjellësit që vranë Dankën e vogël ishin në gjendje të dehur në momentin që kanë kryer krimin.