Autori i dyshuar i vrasjes së Valter Fierzës, 24-vjeçari Klodian Mhilli është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë Shkodër. Mhilli ishte shpallur në kërkim për vrasjen me armë zjarri të Fierzës, kryer më 21 Shtator 2023 në fshatin Hot i Ri.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka dërguar urdhrin per ekzekutimin e vendimit të vitit 2023 të Gjykatës së Shkodrës, e cila i ka caktuar 24-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Dyshohet se ngjarja ndodhi pas sherrit për parkimin e makinës dhe autori i dyshuar, Klodian Mihilli mendohet të jetë fqinji i Valter Fierzës. Konflikti ka nisur mes vëllait të viktimës, Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar Klodian Mhillit, fqinjit të tyre shtëpitë e të cilëve janë pranë njëra-tjetrës. Debati nisi në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar.
Pas debatit, fqinji i vëllezërve Fierza, ka marrë armën dhe e ka qëlluar 33-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend. Ka qenë vëllai i Valter Fierzës ai që e gjeti të vdekur jashtë makinës në rrugicën pranë shtëpisë së tyre, e më pas lajmëroi policinë. Pas vrasjes, Klodian Mhilli u largua në drejtim të paditur dhe pas më shumë se 5 muajsh është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës.
Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.