Aktualitet Vrasja e vëllezërve në Roskovec, Policia vë në pranga edhe dy djemtë...

Vrasja e vëllezërve në Roskovec, Policia vë në pranga edhe dy djemtë e autorit

Ka shkuar në 4 numri i personave të arrestuar pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi dje në fshatin Kurjan të Roskovecit, ku mbetën të vdekur Ladimir dhe Gramos Kurtaj. Policia ka vënë në pranga Altin Kukajn dhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Emaurisio Kukaj, si dhe një të afërmin e tyre.

Kukaj dhe dy djemtë akuzohen për vrasjen në bashkëpunim, ndërsa shtetasi T.Z akuzohet për përkrahjen e autorit të krimit.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, në Roskovec, ku u vranë me armë zjarri 2 shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

A. K., 49 vjeç, E. K., 21 vjeç dhe E. K., 18 vjeç (babai dhe 2 djemtë e tij), të tre banues në Fier, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë me armë zjarri automatik, shtetasit L. K., 46 vjeç, dhe G. K., 52 vjeç, për motive të dobëta;

T. Z., 67 vjeç, banues në fshatin Çukalat, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i K. Penal.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shkak të moshës, për shtetasin Y. K., 79 vjeç, banues në fshatin Kurjan (babai i shtetasit A. K.), për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje i armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278 dhe 280 i K. Penal.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri automatik, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë gjahu, 4 krehra, municion luftarak, 5 automjete dhe 1 motoçikletë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.