Bota Vrasja e Yahya Sinwar, çfarë ndodh tani me Hamasin?

Vrasja e Yahya Sinwar, çfarë ndodh tani me Hamasin?

Hamasi ka reaguar zyrtarisht pas vrasjes së liderit të saj, Yahya Sinwar. Një përfaqësues i kësaj organizate hodhi poshtë spekulimet për një fund të grupit militant.

Hamasi është një “lëvizje çlirimtare e udhëhequr nga njerëz që përpiqen për liri dhe dinjitet, dhe kjo nuk mund të eliminohet”, tha Basem Naim, anëtar i lartë i Byrosë Politike të Hamasit, në një deklaratë të premten.

Naim nuk e konfirmoi vdekjen e Sinwar, por gjithashtu nuk e mohoi.

“Me sa duket Izraeli beson se vrasja e udhëheqësve tanë do të thotë fundi i lëvizjes sonë dhe luftës së popullit palestinez, por me çdo vdekje të një prej liderëve të tij, Hamasi është më i fortë dhe më popullor”, argumentoi Naim.

Por, çfarë përfaqësonte Yahya Sinwari?

Yahya Sinwari lindi në vitin 1962 në një kamp refugjatësh në qytetin Khan Younis të Gazës. Ai u bë ndër anëtarët e parë të Hamasit, kur u themelua organizata në vitin 1987. Në vazhdim ai u bë drejtues i degës së sigurisë të kësaj organizate, që synonte të identifikonte informatorët e Izraelit brenda radhëve të militantëve.

Izraeli e arrestoi atë në fund të viteve 1980 dhe ai pranoi se kishte vrarë 12 bashkëpunëtorë të dyshuar, një rol që i dha atij pseudonimin “Kasapi i Khan Younisit”. Ai u dënua me katër burgime të përjetshme për vepra penale, ndër të tjera edhe për vrasjen e dy ushtarëve izraelitë.

Një drejtues nga burgu

Yahya Sinwari organizonte greva në burg duke kërkuar përmirësim të kushteve. Ai studioi gjithashtu gjuhën hebraike dhe shoqërinë izraelite.

Ai i mbijetoi kancerit të trurit në vitin 2008, pasi u trajtua nga mjekët izraelitë.

Yahya Sinwari ishte ndër 1 mijë palestinezët e liruar në vitin 2011 nga Kryeministri Benjamin Netanyahu, në kuadrin e një shkëmbimi për një ushtar izraelit të kapur nga Hamasi në një sulm ndërkufitar.

Ngjitja e shkallëve të pushtetit të Hamasit

Kur Yahya Sinwari u rikthye në Gazë, ai ngjiti me shpejtësi shkallët e udhëheqjes së Hamasit, duke krijuar një reputacion si i pamëshirshëm. Ai mendohet gjerësisht se qëndron pas vrasjes në vitin 2016 të një komandanti tjetër të lartë të Hamasit, Mahmoud Ishtewit, në një luftë të brendshme për pushtet.

Yahya Sinwari u bë kreu i Hamasit për Gazën, duke e vendosur atë praktikisht në krye të të gjithë territorit. Së bashku me Ismail Haniyehun, ai punoi për të krijuar lidhjet mes Hamasit dhe Iranit, si dhe grupeve të tjera që Irani mbështet në rajon, duke forcuar ndërkohë aftësitë ushtarake të organizatës së tij.

Sulmi i tetorit ndaj Izraelit

Ekzistojnë prova të shumta se Yahya Sinwari, së bashku me Mohammed Deifin, drejtuesin e krahut të armatosur të Hamasit, projektuan sulmin befasues të 7 tetorit ndaj Izraelit.

Nga sulmet u vranë rreth 1,200 persona, kryesisht civilë. Sulmi u bë shkak për fillimin e luftës, gjatë së cilës janë vrarë mbi 42,000 palestinezë në Gazë, sipas autoriteteve të atjeshme të shëndetësisë.

Hamasi tha se i bëri sulmet për t’u hakmarrë për trajtimin e palestinezëve nga Izraeli dhe për ta bërë kauzën palestineze sërish pjesë të axhendës botërore.

Prokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare kërkoi lëshimin e urdhrave të arrestit në maj për Yahya Sinwarin, Mohammed Deifin dhe Ismail Haniyehun për rolin që mendohet se kanë luajtur në këto sulme.

Izraeli thotë se e ka vrarë Mohammed Deifin gjatë një sulmi në korrik, por Hamasi pretendon se ai është ende gjallë.

Çfarë ndodh tashmë me Hamasin?

Yahya Sinwari qëndronte i fshehur që pas sulmeve ndaj Izraelit. Negociatorët që ndërmjetësonin për një armëpushim thonin se duheshin disa ditë për t’i dërguar atij mesazhe dhe për të marrë një përgjigje prej tij.

Përpara se të bëhej udhëheqësi më i lartë i Hamasit, Yahya Sinwari besohej se kishte fjalën e fundit për çdo marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbajtura nga grupi militant. Rreth 100 persona mbahen ende peng në Gazë. Një e treta e tyre mendohet të kenë të vdekur.

Është e paqartë se kush do ta zëvendësojë Yahya Sinwarin dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për përpjekjet për armëpushimin, të cilat u ndërprenë në gusht, pas muajsh negociatash të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari.

Hamasi ka qindra mijëra mbështetës në Gazë, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në kampet e refugjatëve palestinezë në të gjithë rajonin. Disa nga udhëheqësit e lartë të Hamasit qëndrojnë në Katar, vend që ka shërbyer si ndërmjetës mes Izraelit dhe grupit militant.

Gjatë viteve, Izraeli ka arrestuar dhe ka vrarë disa udhëheqës të lartë dhe komandantë të Hamasit dhe grupi militant i ka zëvendësuar ata me shpejtësi. Por ky grup nuk ka bërë ndonjëherë një luftë të zgjatur kundër Izraelit, i cili thotë se ka vrarë dhjetëra militantë të rangut të lartë dhe mbi 17,000 luftëtarë, megjithëse nuk ka dhënë prova për këtë shifër.