Kanë kaluar rreth 2 javë nga vrasja mizore e 20-vjeçares Karolina në Greqi dhe ende nuk ka emra të grabitësve që u futën brenda banesës së saj.
Mediat greke raportojnë sot se hetuesit grekë janë fokusuar tek burgjet e vendit, dhe kryesisht duke kërkuar informacion për të dënuarit që kanë përfunduar dënimet dhe kanë dalë nga qelia së fundmi. Policia greke është duke kërkuar për ata të burgosur që kanë qenë të dënuar për grabitje, vrasje, grabitje me dhunë apo grabitje me pasojë vrasjen.
Dhe target-grupi ku janë fokusuar më së shumti autoritetet, janë grupet kriminale gjeorgjiane në Greqi. Mediat greke, duke iu referuar burimeve policore, raportojnë se mënyra si veprojnë grupet gjeorgjiane është e ashpër dhe mizore. Për këtë arsye ka dyshime që grabitja e parave në banesën e 20-vjeçares Karolina, që përfundoi me vrasjen e kësaj të fundit, të jetë kryer nga gjeorgjianë.
Por të marrësh informacione për mafian gjeorgjiane, sipas shtypit grek, nuk do të jetë e lehtë pasi anëtarët e kësaj bande udhëhiqen nga fshehtësia dhe besnikëria mes njëri-tjetrit.
Krimi i rëndë tronditi opinionin publik grek, kjo edhe për faktin se 20-vjeçarja ishte vrarë pranë foshnjes së saj 8-muajshe ndërsa bashkëshorti i Karolinës ishte lidhur gjatë grabitjes. Edhe pse autorët morën paratë, hetuesit grekë nuk arrijnë të kuptojnë përse grabitja duhet të përfundonte me vrasje. Për këtë arsye, të gjitha pistat hetimore janë të hapura.