Detaje të reja janë zbardhur nga mediat greke për vrasjen e shqiptarit Aleksandër Zakës në Greqi.
Mediat greke e kanë cilësuar si një thriller vrasjen e 51-vjeçarit shqiptar Aleksandër Zaka, i cili u gjet i vrarë me plumb në kokë në banesën e tij në ishullin e Salaminas në Greqi.
Shqiptari u ekzekutua me plumb në pjesën e pasme të kokës, teksa qëndronte i ulur në një karrige në oborrin e banesës së tij.
Autoritetet greke kanë identifikuar autorin e dyshuar dhe kanë nisur punën për arrestimin e tij.
Dyshohet se viktima dhe autori kanë qenë shokë me njëri-tjetrin, ku ky i fundit ka qëndruar më parë në banesën e viktimës.
Autori, personi që shihni në foton e mëposhtme është një shtetas shqiptar me precedentë penalë në fushën e vjedhjes dhe trafikut të narkotikëve.
Një ditë para krimit në shtëpi ndodheshin dy shqiptarët dhe një shtetas grek. Gjatë mbrëmjes shtetasi grek është larguar nga banesa dhe në shtëpi kanë qëndruar viktima dhe autori i dyshuar. Ky i fundit do të flinte në banesën e 51-vjeçarit. Por kur shtetasi grek është kthyer të nesërmen, ai e ka gjetur viktimën të ulur në një karrige i qëlluar me plumb në pjesën e pasme të kokës. Ndërkohë shqiptari rezulton i zhdukur dhe policia greke po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Ndërkohë për sa i përket viktimës ai ka qenë një person pa precedentë penal dhe që jetonte dhe punonte prej vitesh në Greqi.