Ndërsa hetimet për vrasjen me snajper të Gëzim Sinomatit vijojnë, policia bën të ditur se ka ndaluar disa persona në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi Vlorën, pesë ditë më parë.
Deri tani është ende e paqartë se kush janë personat e ndaluar dhe çfarë lidhje pretendohet që të kenë me vrasjen.
Policia ka kontrolluar dhjetëra banesa dhe rezidenca në Vlorë dhe Selenicë të eksponentëve kryesorë të njohur si kundërshtar të Sinomatit ndër vite.
Grupi hetimor ka ndarë detaje mbi armën e krimit, të dala nga ekzaminimi balistik i gëzhojës së gjetur në vendngjarje dhe asaj në trupin e viktimës. Ekzekutimi është kryer me një snajper të kalibrit 7mm dhe precesion deri në 1 mijë metra.
Pistat e konfirmuara zyrtarisht lidhen me të shkuarën kriminale të Sokol Sinomatit, babait të viktimës dhe aktivitetin e tij të pas viteve 97-të.
Autoritet nuk përjashtojnë as vrasjen me motive të konflikteve të kohëve të fundit në Belgjikë për një sasi të vjedhur të kokainës, ku rezultojnë të vrarë dy persona gjatë muajve të fundit.
Në krye të hetimeve ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka sqaruar se prej 24 orësh po zhvillon analizë të detajuar, ndërsa janë hedhur në tavolinë të gjitha dosjet e vjetra. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, ndihmë është kërkuar edhe nga institucione të tjera ligjzbatuese. Sakaq, hetim ka nisur edhe ndaj punonjësve të OSHEE për të mësuar motivet e ndërprerjes së energjisë elektrike.