Aktualitet Vrasja në burgun e Peqinit, prokuroria: Mjacaj e mbajti armën për 20...

Vrasja në burgun e Peqinit, prokuroria: Mjacaj e mbajti armën për 20 ditë, nuk u kontrollua fizikisht

Prokuroria e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në burgun e Peqinit ku një i burgosur përjetë i mori jetën një të burgosuri tjetër dhe la një të plagosur.

Prokuroria e Elbasanit që po heton këtë ngjarje të rëndë thotë se ndaj Sokol Mjacajt rëndojnë dy vepra të tjera penale si ajo e vrasjes në rrethana cilësuese dhe tentativë vrasjeje. Pasi kreu ekzekutimin e Arben Lleshit, sipas asaj që ka zbuluar prokuroria, është se Mjacaj ka kërcënuar me armë në dorë gardianët. Më pas është izoluar me armë në dorë në ambientet e takimeve me familjarët.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 5 gëzhoja, si dhe dy predha të dëmtuara.

Prokuroria e Elbasanit e ka marrë në pyetje Mjacajn dhe ka dalë në përfundimin se arma është futur në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe është mbajtur në qeli nga autori për rreth 20 ditë.

Gjithashtu, dyshohet se arma është mbajtur prej tij edhe në ambientet e ajrimit apo regjimit të brendshëm, që janë ambiente të përbashkëta në këtë burg.

“Nga kryerja e veprimeve të para hetimore, konkretisht këqyrje e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjacaj dhe akteve shkresore të administruara deri në këto momente, arma e zjarrit është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjacaj për një kohë rreth 20 ditë. Gjithashtu kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg (ajrim, apo regjimi brendshëm). Në vijim të veprimeve hetimore ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit, nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pasi nuk kanë kryer kontrollin fizik, që konsiston dalja e të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes si dhe në ditët e mëparshme”, njoftoi prokuroria.

Për këtë arsye, prokuroria ka dyshime të bazuara se nga punonjësit e shërbimit nuk janë përmbushur detyrat funksionale, pra nuk kanë kryer as kontrollin fizik që konsiston në daljen e të dënuarit nga dhoma për në ajrim dhe e kundërta jo vetëm ditën e ngjarjes, por edhe më parë.

“Gjithashtu gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si 41 biss ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjacaj rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë, si dhe nga ana e autoriteteve të informacionit të burgut nuk është njoftuar ngjarja e ndodhur në orën 13:52 të datës 15.12.2023 në sallën operative të DVP Elbasan apo Komisariatin e Policisë Peqin”, njoftoi prokuroria.

Për këtë arsye, prokuroria ka kërkuar ndalimin e 12 punonjësve të burgut. Mes tyre është edhe drejtori i burgut të sigurisë së lartë, Kamber Hoxha.