Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku humbi jetën një person, por nga Durrësi teksa po zhvillonte një takim elektoral tha se asnjë bandë apo shitblerje votash nuk do ta ndalë ndryshimin që po vjen.
Ai u shpreh se PD-ja e refuzon dhunën, por shtoi se demokratët do ta mbrojnë demokracinë me çdo çmim.
“Kudo buçet një thirrje, një vendim, bashkë për ndryshim. Këtë e di fare mirë edhe ai që për 8 vite ju la në baltë. Është shkaktari kryesor i vuajtjeve të nënave dhe baballarëve tanë ndaj ditëve të fundit i është vërsulur me marifetet e vjetra, por e ka kot. Le ta shohin njeri tjetrin në sy, shikojeni fuqinë, shikojeni energjinë e pandalshme të ndryshimit që po vjen. Nuk ka forcë ta ndalë, nuk ka banda ta ndalin, nuk ka korrupsion ta ndalë, nuk shitblerje votash ta ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim”, tha Basha.