Shefi i stafit të Presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina ka reaguar në lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Ferizaj, ku efektivi i Policisë, Festim Ramadani ekzekutoi me armë zjarri të afërmin e tij, Sadri Sadriun.
Sipas informacioneve të pakonfirmuara që dolën në mediat e Kosovës, vrasja ndodhi nën dyshimet për “ngacmim seksual” të dy vajzave (familjare të policit të dyshuar Festim Ramadani), nga ana e viktimës. Po ashtu u raportua se bashkëshorti i Vjosa Osmanit dhe kjo e fundit ishin futur në një grup komunikimi në Facebook, ku familja Ramadani kishte rrëfyer gjitha pretendimet e tyre për tashmë viktimën Sadri Sadriu, për situatën e ndodhur.
Shefi i stafit të Presidentes Osmani, Bekim Kupina, cilëson se “kjo tendencë është me qëllim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë”.
Ai tha se “Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë në mënyrë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”.
Kupina tha se çifti Sadriu nuk përdorin “asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social”.
Po ashtu edhe vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka mohuar lidhjen me ngjarjen.
Osmani shkruan se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që çuan në vrasjen e mbrëmshme.
“Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera.
I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi.
Rrethanat që e kanë shtyrë Buzhalën dhe të tjerët në përhapjen e këtyre dezinformatave, kërkoj që urgjentisht të hetohen nga institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë. Buzhala me “Nacionalen”, dhe disa të tjerë, duke më implikuar mua dhe bashkëshortin tim në situata me të cilat nuk kemi asnjë lidhje të vetme, kanë qëllim të qartë të nxitjes së urrejtjes, e cila pastaj rezulton në dhunë.
Kjo lidhje e rrejshme dhe e rrezikshme e krijuar nga këto portale, me vetëdije të plotë dhe me qëllim të rrezikimit të jetës sime dhe të familjes sime, ndërkohë që autoritetet kompetente po e hetojnë rastin, tregon tendencën e drejtpërdrejtë të tyre për rrezikim te jetës, duke na implikuar rrejshëm madje edhe në gjoja ndërhyrje në drejtësi.
Ftoj sërish të gjitha organet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që t’i hetojnë me prioritet të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje e njëkohësisht edhe veprimet e këtij portali dhe portaleve të ngjashme që kanë qëllim të qartë për të rrezikuar jetën dhe nxitur urrejtje, e që këtë mision po shihet se e kanë edhe portalet e Serbisë”, shkruan Vjosa Osmani.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me vrasjen që ndodhi mbrëmjen e djeshme, ku thotë se efektivi ka qenë jashtë detyrës zyrtare. Përveç Ramadanit që u vetëdorëzua në Polici, në orët pas ngjarjes është vënë në pranga dhe një bashkëpunëtor i tij.