Aktualitet Vrasja në Ndroq/ Dorëzohet në polici autori i dyshuar, Julian Gjoshi

Vrasja në Ndroq/ Dorëzohet në polici autori i dyshuar, Julian Gjoshi

Julian Gjoshi, autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit, Alfred Dedja në një restorant në Ndroq të Tiranës është dorëzuar në polici.

“Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në Polici”, njofton policia.

26-vjeçari Gjoshi, banues në Shijak është ndalur nga specialistët për hetimin e krimeve të rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Ndërkohë, Policia ka arritur që të zbardhë të gjithë dinamikën e vrasjes duke u bazuar në kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e personave prezentë.

Rezulton se ka qenë 50-vjeçari ai që sapo e ka parë Julian Gjoshin, i ka shkuar atij në tavolinë. Në këtë moment 27-vjeçari ka qëlluar disa herë me armën e zjarrit, që kishte me vete.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur Alfred Dedja është qëlluar me 5 plumba, 3 prej tyre e kanë kapur në trup duke humbur menjëherë jetën.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia i gjeti armë zjarri edhe viktimës, teksa të dy rezultojnë të skeduar nga policia për vjedhje dhe trafik narkotikësh.

Ndërkohë 27-vjeçari i shpallur në kërkim, është arrestuar në vitin 2020 nga Policia e Tiranës pasi u gjet me armë zjarri në makinë.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.