Aktualitet Vrasja në Ndroq, policia gjen një tjetër makinë të përdorur nga autori...

Vrasja në Ndroq, policia gjen një tjetër makinë të përdorur nga autori i dyshuar

Policia e Tiranës ka gjetur në fshatin Shkallnur, një tjetër makinë të braktisur. Dyshohet se makina është përdorur nga autori i dyshuar i vrasjes së Alfred Dedjes, Julian Gjoshi.

Policia thotë se ka kontrolluar brenda në automjet por nuk ka konstatuar asnjë send të jashtëligjshëm.

“Është gjetur i braktisur në fshatin Shkallnur, automjeti me të cilin dyshohet se ka lëvizur autori i dyshuar i vrasjes. Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë nuk kanë konstatuar ndonjë send të kundërligjshëm. Automjeti u transportua në ambientet e Policisë dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës. Ndërkohë vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes dhe për zbardhjen e rrethanave të saj”, njoftoi policia.

Kjo makinë dyshohet se është e dyta e përdorur nga 27-vjeçari Gjoshi. Me të parën ai u arratis nga vendi i ngjarjes, restoranti në Ndroq ku qëlloi Dedjen.

Makinën tip “Benz” ai e la në zonën e “Shkëmbit të Kavajës” dhe nga aty mendohet se ka marrë mjetin tjetër, të cilin e ka braktisur në Shkallnur.