Vrasja në Rrëshen, ka shkaktuar “furtunë” në Komisariatin e Lezhës. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka shkarkuar nga detyra zinxhirin komandues duke nisur nga Shefi i Komisariatit, zv. Drejtorin për Hetimin e Krimeve, si edhe shefin dhe zv. Drejtorin e Sektorit për Rendin dhe Sigurinë.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku ka firmosur një sërë urdhrash për emërime/shkarkime nga detyra, me qëllim dhënien e impulseve të reja forcës parandaluese, punës hetimore dhe forcës goditëse, ndaj krimit në përgjithsi dhe krimit të organizuar në veçanti.
Lidhur me ngjarjen në qytetin e Rrëshenit, ku u vra një shtetas dhe u plagosën disa të tjerë, pas analizës së bërë lidhur me veprimtarinë e strukturave të Policisë së Shtetit, për ndjekjen e kësaj ngjarjeje, si dhe për shkak të mostrajtimit/mosanalizimit të duhur të konflikteve ndërmjet fiseve në Rrëshen, Drejtori i Përgjithshëm ka vendosur:
-shkarkimin nga detyra të zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Lezhë Drejtues Alfred Nomani dhe emërimin në këtë detyrë të Kryekomisar Gentian Berberi;
-shkarkimin nga detyra të shefit të Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, Kryekomisar Artur Cara;
-emërimin në detyrën e Zëvendësdrejtorit për Rendin dhe Sigurinë të DVP Lezhë, të Kryekomisar Altin Mena;
-shkarkimin nga detyra të shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Klodian Kondi”, thuhet në njoftim.
“Gjithashtu, janë bërë edhe lëvizje të tjera, me qëllim përmirësimin e punës së strukturave të Policisë së Shtetit, konkretisht:
-është shkarkuar nga detyra e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve të DVP Fier Drejtues Artur Shira dhe është emëruar në këtë detyrë Komisar Arjan Hasani;
-është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Berat Kryekomisar Ermir Gërxhani;
-është emëruar në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Pogradec Komisar Elton Halili”, përfundon njoftimi.