Alfred Dedja u ekzekutua me armë zjarri në sytë e klientëve të shumtë në një lokal në Ndroq të Tiranës. Sipas të dhënave paraprake, pjesa më e madhe e klientëve të lokalit kanë qenë dëshmitarë okularë të të gjithë dinamikës së ngjarjes.
Raportohet se në momentin e krimit, 50-vjeçari Dedja ishte në shoqërinë e personave të tjerë të cilët dëshmuan po ashtu ngjarjen dhe identifikuan Julian Gjoshin si autor të vrasjes. Detaj që tregon se palët kishin njohje me njëri-tjetrin.
Mësohet se viktima, i njohur me nofkën “Daku”, jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë. Ka dyshime se jashtë vendit, ai ka qenë i përfshirë në trafik droge.
Referuar të njëjtave burime, vrasja dyshohet se lidhet me prishjen e pazareve të drogës. Megjithatë hetuesit nuk përjashtojnë edhe pistat e tjera.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:30. Dedja ndodhej në ambientet e lokalit kur autori i dyshuar, i identifikuar si Julian Gjoshi, iu afrua dhe e qëlloi për vdekje.
Më pas, autori u largua nga vendngjarja me një makinë (Benz të zi, ML) drejt Shijakut, ku raportohet se jeton.
Julian Gjoshi rezulton si person me precedentë penalë për armëmbajtje pa leje.