Bledar Birçaj, rreth 40-vjeç mbeti i vdekur pas një atentati me armë zjarri në qytetin e Vlorës. Ngjarja është regjistruar në zonën e quajtur Bishti i Kalldrëmit, teksa po udhëtonte me automjetin e tij tip BMW X5. Persona ende të pa identifikuar i kanë bërë pritë duke e qëlluar me breshëri plumbash, ndërkohë në trupin e viktimës mësohet se janë konstatuar deri në 7 plumba.
Personi tjetër që po udhëtonte me të në momentin e atentatit është larguar nga dera e pasagjerit dhe është futur në një prej garazheve në zonë duke pritur aty deri në largimin e autorëve.
Deri më tani dyshohet se kanë qenë dy persona në automjetin nga ku është qëlluar me kallashnikov në drejtim të 40-vjeçarit, njëri prej të cilëve ka drejtuar automjetin, ndërsa tjetri ka qëlluar me armë.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të dy karburanteve në zonë për të mësuar me çfarë automjeti udhëtonin autorët dhe drejtimin në të cilin janë larguar ata.
Pistë kryesore e grupit të hetimit është e shkuara e viktimës në Spanjë.
Së fundmi ai kishte qëndruar më shumë kohë në Spanjë prej nga bënte shpesh vajtje ardhje nga Shqipëria.
Bledar Birçaj nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë. Në Janar të 2011 ai u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje, por në Korrik të të njëjtit vit u vendos pushimi i hetimit penal duke u lënë i lirë. Viktima rezulton të jetë pronar i një lokali të njohur në Lungomare.