Në 24 orët e fundit kryefjalë në Shqipëri është dhuna që ushtroi familja dhe fisi Rraja, i deputetit socialist Rrahman Rraja kundër dy kushërinjve Jashar dhe Bilbil Maja të cilët u ankuan për shpërthimet e gurores pasi po iu shemben shtëpitë. Në kërkim për momentin janë njerëzit kryesorë të dhunës, djali dhe dy vëllezërit e deputetit socialist.
Por kjo nuk është hera e parë që janë në qendër të vëmendjes për dhunë, vrasje, plagosje, shantazh dhe kërcënime.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe gazetari i njohur, Blendi Fevziu i cili shkruan se këta individë i kanë hapur luftë shoqërisë dhe padyshim ndaj shtetit të cilit sipas gazetarit, këta njerëz as e kanë frikë dhe as e kanë në llogari.
“Pamjet e kësaj videoje të tmerrshme që janë publikuar dje, nuk janë thjesht një akt dhune. As një sherr banal.
Janë sfidë ndaj qytetarit, ndaj shoqërisë dhe padyshim ndaj SHTETIT të cilin duket hapur që këta njerëz as e kanë frikë dhe as e kanë në llogari.
Më shumë duket se trembet shteti nga këta persona se sa ata nga policia dhe drejtësia. Imazhe si këto e dëmtojnë Shqipërinë më shumë sesa çdo gjë tjetër”, shkruan Fevziu.