Një hetim i SPAK për akuzat e vrasjes dhe korrupsionit çoi në qeli këtë të enjte 6 persona mes tyre emra të rëndësishëm të policisë, prokurorisë dhe biznesit. 9 të tjerë u shpallën në kërkim.
Ish-shefi i Forcave Operacionale, me herët drejtues i Policisë së Lezhës dhe Durrësit, Oltion Bistri, u vu në pranga me dyshimet se ka ndihmuar në nxjerrje të informacioneve emra të rëndësishëm të botës krimit.
Në qeli u mbyll me vendim të Gjykatës së Posaçme edhe drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, me herët prokuror në Shkodër, Xhevahir Lita. Burime thanë se ai akuzohet për korrupsion.
Ndërkohë në pranga ra edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij. Zyrtarisht SPAK nuk ka dhënë detaje nga hetimet, por burime thonë se ai akuzohet si pjesë e një grupi që ka kryer vrasje në Shkodër.
SPAK gjithashtu shpalli në kërkim me dyshimet se janë të përfshirë në disa ngjarje në qytetin e Shkodrës, edhe Ervis Martinajn dhe një nga njerëzit e tij të afërt, Elion Hato.
Të përfshirë në këtë dosje rezulton edhe ish-efektivi i policisë Ardit Hasanbega, i cili sipas burimeve dyshohet të ketë ndihmuar në ngjarje kriminale në qytetin e Shkodrës.
Në pranga për këtë dosje kanë përfunduar edhe persona të konsideruar si pjesë e grupit kriminal Bajrajt, teksa gjatë ditës janë kryer kontrolle në 23 banesa, në Tiranë, Lezhë dhe Shkodër, ku janë gjetur edhe sasi municioni luftarak.
Arrestimet për këtë operacion u konfirmuan edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili e konsideroi atë si tregues të vendosmërisë së Policisë në luftën ndaj krimit.
“Gjatë gjithë natës së sotme Policia Shtetit ka finalizuar një operacion kompleks të goditjes së krimit të organizuar, rezultat konkret i bashkëpunimit të ngushtë me Prokurorinë e Posaçme, të cilën e falenderoj për bashkëpunimin dhe besimin. Në rrjetën e këtij bashkëpunimi kanë rënë eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të implikuar me krimin. Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.