Nuk bëri asnjë koment lidhur me vrasjen e katërfishtë në Velipojë, por nga Vlora kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ristrukturim të punës në Policinë e Shtetit pas ngjarjeve të fundit kriminale në vend.
Teksa kërkoi lejen e medias, kreu i qeverisë tha se kishte thirrur me urgjencë në një takim të posaçëm Ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi dhe drejtuesit e policisë së shtetit.
“Tani do më duhet të largohem sepse kam thirrur me urgjencë ministrin e Brendshëm dhe disa drejtues të policisë, sepse do të lançojmë sa më shpejt fazën e re të ristrukturimit por që për arsye të mirëkuptueshme të përshpejtohet me disa javë.”
Ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura ditët e fundit kanë njollosur me gjak turizmin në Shqipëri. Që nga përplasja me armë në një lokal nate në Sarandë e deri tek masakra e Velipojës ku për disa metra rërë u varrosën katër viktima.
Më herët për ngjarjen në Velipojë reagoi edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Sipas tij shteti është gjunjëzuar përpara krimit të bërë njësh me pushtetin e korruptuar deri ne palcë.
“Kur policia reduktohet në vegël të regjimit për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet me krimin, kur përgjigja e vetme sa herë përgjaken qytetet tona është “hëngshin kokat e tyre”, jeta e qytetarëve, fëmijëve dhe familjeve shqiptare është në rrezik”.
Edhe Presidenti Ilir Meta tha se rendi dhe siguria publike janë dëmtuar seriozisht. Kreu i shtetit theksoi nevojën e masave të reja efektive për garantimin e tyre, me qëllim mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe të pronave të qytetarëve.