Vrasja e Aleks Nikës në protestën e 21 janarit, Gjykata e Strasburgut merr vendim
Gjykata e Strasburgut ka dhënë verdiktin e saj për vdekjen e Aleks Nikës, njërit prej 4 protestuesve që mbetën të vrarë në 21 janar të vitit 2011, përpara Kryeministrisë.
Sipas vendimit të Gjykatës, në këtë çështje ka dy shkelje, të cilat janë vrasja dhe mos-zbardhja e ngjarjes.
Sipas argumentimit, Gjykata pretendoi se ligji i kohës dhe plani masave të Gardës nuk garantonin jetën dhe zbardhja e ngjarjes nuk u realizua.
“Plani masave të Gardës ishin në shkelje që nuk garantonin jetën, pra shteti ka përgjegjësi për vrasjen. Në protestë pati përdorim të pajustifikuar të forcës vdekjeprurëse”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Strasburgut.
“Gjykata vëren se hetimi penal është ende i hapur. Duke pasur parasysh këtë, gjykata konsideron se autoritetet duhet të vazhdojnë (për aq sa kjo është e mundur) përpjekjet e tyre që synojnë të sqarojnë rrethanat e vdekjes së shtetasit A.N. (Aleks Nika) si dhe identifikimin dhe dënimin e atyre që janë përgjegjës”.
Këto cilësohen si shkelje të dy aspekteve të jetës, sipas Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ishin familjarët e Nikës të cilët dërguan padi në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pas vdekjes së tij.
Prokuroria e Tiranës rihapi hetimin dy vite më parë për vrasjen e Nikës, por familjarët kërkuan që çështjen ta marrë në dorë SPAK.
Por SPAK shpalli mos-kompetencën për hetimin e kësaj ngjarjeje dhe kjo vrasje po hetohet nga Prokuroria e Tiranës.
Një hetim i mëhershëm për vrasjet e 21 janarit dërgoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon.
Gjykata vlerësoi se vrasjet e Hekuran Dedajt, Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite burg.