Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se fytyra e vërtetë e këtij shteti është ai i Nuredin Dumanit, të penduarit të drejtësisë.
“Fytyra e vërtetë e këtij shteti është ajo e Dumanit, një serial killer, i cili po zbërthehet, po flet dhe unë e vlerësoj rrëfimin e tij, por i bëj thirrje të rrëfejë çdo gjë. Por deri tani nuk ka thënë asgjë përveç asaj që kemi ditur të gjithë. Banda e Elbasanit dhe të tjera kanë qenë fund e krye të lidhura me qeverinë dhe kanë patur në xhep prokurorinë e Elbasanit por edhe prokurorë të tjerë të mëdhenj në Tiranë, ministra, mbi ministra“, tha Berisha gjatë konferencës për mediat.
Berisha i bën thirrje Dumanit që ta bëjë rrëfimin e plotë e me guxim dhe të rrëfejë për të tjera vrasje.
“I bëj thirrje ta bëjë të plotë me guxim, sepse ka një tendencë absolute censure të rrëfimeve të tij tronditëse, të cilat dëshmojnë atë që është thënë çdo ditë nga media, shoqëria dhe Shqipëria. Është denoncuar me kohë. Ata plaçkisnin, vrisnin, përdhunonin, bënin çdo gjë sepse mbyllnin çdo çështje me urdhër nga sipër. I bëj thirrje të dalin të gjitha bisedat e Suel Çelës me Taulant Çelën (Balla). Taulant Çela është minimumi, nuk është më i madhi, se ato shkojnë direkt tek Edi Rama”.
Më 15 Prill, 2 javë nga arrestimi i tij në Fier, Dumani u ul përballë prokurorëve të posaçëm dhe rrëfeu detaje për 18 krime të ndodhura, mes tyre vrasje me pagesë, vjedhje dhe sigurim të mjeteve për ngjarjet kriminale.