Aktualitet Vrasjet për hakmarrje dhe ato me pagesë/ Zbërthehet Artan Tafani, tregon me...

Vrasjet për hakmarrje dhe ato me pagesë/ Zbërthehet Artan Tafani, tregon me detaje krimet e grupit të Laert Haxhiut

Artan Tafani ka treguar me detaje ngjarjet kriminale ku ai ka marrë pjesë bashkë me anëtarët e tjerë të grupit të Laert Haxhiut.

39-vjeçari u ka treguar edhe motivet e vrasjeve të kryera nga grupi i tij. Tafani u tha hetuesve se Alban Semakun, ushtarin e Aldo Bares, e vranë pasi Laerti kishte mësuar se Semaku ka deklaruar se ai do të vriste njerëzit e familjes së tij.

“Alban Semakun e njihja më herët dhe e dija që ai konsumonte heroinë. Atë ditë e gënjeva duke i thënë hajde se do të gjej unë heroinë se e kam të fshehur në një vend. Kam shkuar e kam marrë me makinë tek lagjia e tij dhe pastaj shkuam në Peqin. I thashë që e kam fshehur në një mur tek disa ferra dhe ai nisi të kërkojë për heroinën. Në këtë moment e qëlluam me një plumb në kokë dhe dy në trup. Pasi e vramë e lamë trupin e tij në ferra dhe ikëm”.

Për vrasjen e Çajup Selimit, Tafani i tha se bashkë me 5 persona të tjerë e bënë në këmbim të një pagese.

“Porosinë për të vrarë Çajup Selimin e mori Laerti dhe me sa kujtoj e kishin paguar 50 mijë Euro. Çajupin e vramë në shkallët e pallatit ku jetonte. Ersiano Abedini dhe Bujar Abedini ishin ata që na mbanin në kontakt për lëvizjet e Çajupit. Në vrasje morën pjesë edhe Lulzim Spahia e Ligor Romaçka”.

Sipas Tafanit, Laert Haxhiu nuk kurseu as njerëzit e tij. Në dosjen hetimore, thuhet se Fridman Xhaferaj u vra me urdhër të kushëririt të tij Laert Haxhiu, një ditë pas vrasjes së biznesmenit Çajup Selimi.

“Fridmani i kishte kërkuar Laertit që ta ndihmonte dhe nëse nuk e ndihmonte do të fliste. Kjo u mor si kërcënim nga Laerti, dhe filloi të dyshojë në besnikërinë e tij. Laerti dhe Fridmani ishin kushërinj me njëri-tjetrin. Laerti e ndihmoi të dilte nga burgu dhe t’i ndryshohej masa e sigurisë. Ai e rrahu para se ta vriste. I kërkonte llogari nëse kishte folur dhe pse e shantazhonte nga burgu. Kur pa që në dorë kishim pistoletat, i kërkoi falje Laertit dhe iu lut të mos e vrisnim. Pastaj e qëlluam me plumb pas koke, e morëm në makinë dhe e çuam në Gjanç. Trupin më pas e hodhëm në rezervuar”.

Pasi u gjet trupi Fridman Xhaferaj, hetuesit zbuluan se ai me vete kishte dhe një fletë lirimi nga burgu i Peqinit, në datë 21 Maj.

Artan Tafani pasi u arrestua si autor i grabitjes së pikës së këmbimit të parave në Astir, rrëfeu plot 19 krime të ndryshme. Pas deklarimeve të tij u arrestuan 12 veta, dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim.

Për personat e arrestuar, Prokuroria e Elbasanit kërkon në gjykatë caktimin e masës së sigurisë arrest në burg. Seanca gjyqësore ndaj tyre do të mbahet të dielën.