Aktualitet Vrasjet, pse duhet riformatuar policia e Durrësit para zgjedhjeve

Vrasjet, pse duhet riformatuar policia e Durrësit para zgjedhjeve

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin bregdetar të Durrësit. Një person është vrarë me armë zjarri në një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit.

Viktima është Edmond Koçi, 40 vjeç. Ai njihet edhe me emrin Mond Çekiçi dhe është një person i njohur për lidhjet e tij me krimin. Çekiçi ka qenë pjesë e bandës së Lulzim Berishës, ndërkohë që është dënuar më parë nga drejtësia për krime të ndryshme. 40-vjeçari u qëllua nga persona ende të paidentifikuar.

Por kjo ngjarje e ndodhur në mes të qyteti nuk është ngjarja e vetme që trondit Durrësin.

Ndërsa ngrihen disa dyshime për policinë e qytetit bregdetar, pasi forcat e rendit në këtë qytet janë mjaft të ç’organizuara, ndërsa jeta e qytetarëve është mjaft e pasigurtë, ndërkohë që autorët e krimeve kurrë nuk arrestohen.

E ndërsa është Elbasani ai që ka famën për bandat e rrezikshme, në realitet janë bandat e Durrësit ato që bëjnë “ligjin” në vend. Për disa arsye. Një ndër to është se këto banda janë tejet të pasura dhe ka dyshime se mjaft informacione iu vijnë nga brenda radhëve të policisë. Edhe pse ata lëvizin të lirshëm nëpër qytet ku çdo qytetar i njeh se kush janë, vetëm policia e Durrësit nuk merr asnjë masë ndaj tyre.

Tashmë me afrimin e zgjedhjeve, situata në Durrës po vijon të bëhet edhe më e pasigurt, pasi bandat e të dyja palëve do të kenë rolin e tyre për të ndikuar në trembjen e qytetarëve dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor. Duke marrë shkas dhe nga ky rast tashmë ka ardhur koha që kupola drejtuese e policisë së Durrësit duhet riformatuar e gjitha, pasi nëse Policia e Durrësit nuk pastrohet, këto javë para zgjedhjeve të 25 prillit do të jenë të tensionuara, ku nuk përjashtohen vrasjet e tjera, presioni dhe dhuna ndaj qytetarëve. Në këtë mënyrë ministri Bledi Çuçi duhet të marrë masa të menjëhershme, pasi për shkak të paaftësisë së Policisë së Durrësit, spiralja e krimit në këtë qytet mund të marrë përmasa të paprecedenta.