Aktualitet Vrau 17-vjeçaren në Laprakë, dënohet në mungesë me burgim të përjetshëm

Vrau 17-vjeçaren në Laprakë, dënohet në mungesë me burgim të përjetshëm

Vendi ku ndodhi ngjarja dhe viktima Griselda Gjikolaj

Gjykata e Tiranës dënoi me burgim të përjetshëm Robert Përpepajn, i cili vrau 17-vjeçaren Griselda Gjikolaj dhe plagosi 23-vjeçarin Erion Benga, në dhjetor të vitit 2018, në zonën e Laprakës.

Ndërkohë, Ronald Muzhaqi u dënua me 23 vite burgim. 19-vjeçari akuzohej për përkrahje të autorit të krimit për t’u larguar.

Përpepaj është dënuar në mungesë, pasi është në kërkim.

Benga dhe Gjikolaj ishin në një nga lokalet e zonës aty ku dyshohet se nisi dhe konflikti. Pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ata thanë se gjithçka ndodhi brenda ambienteve të lokalit, ndërsa sherri ishte banal.

Pasi të rinjtë dolën dhe iu drejtuan automjetit, dy të dyshuarit iu afruan nga pas dhe qëlluan disa herë në drejtim të makinës tip Benz. Këtu Erion Benga mundi të lëvizë automjetin, por kjo i shkaktoi vdekjen 17-vjeçares, e cila mori një plumb në kokë. Në momentin që 23-vjeçari arriti të lëvizte makinën, plumbat kapën xhamin e pasmë për të përfunduar në sediljen e parë, ku i morën jetën Griselda Gjikolajt.

17-vjeçarja, sipas policisë, jetonte në një banesë me qira në zonën e Laprakës, ndërsa Benga nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi u arrestua në vitin 2016 për shantazh. Në atë kohë ai u ndalua nga policia pasi shantazhonte një vajzë se do t’i publikonte një video intime.