Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Darment Kelin, i riu i cili vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari.
E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Ardi Marishtën, i cili po drejtonte motorin në të cilin ndodhej viktima.
Marishta akuzohet për “drejtim mjeti në gjendje të dehur”.
Darment Keli qëlloi disa herë me thikë Hoxhallarin, pasi e kishte parë 34-vjeçarin nga ballkoni i banesës së tij duke i ngacmuar të dashurën në rrugë.
“Përcolla të fejuarën për tek parkimi dhe u ngjita për në shtëpi. Kur dola në ballkon pashë që një motor po e ndiqte dhe fliste duke e ndjekur paralel në makinë. I fola nga ballkoni më pas zbrita. Aty Amarildo Hoxhallari më ofendoi dhe më goditi. Pas përplasjes në një moment e godita me thikën që e kisha marrë nga shtëpia”, dëshmoi ai para hetuesve.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:45 të datës 24 gusht. Amarildo Hoxhallari u dërgua në spitalin e Traumës, por në orën 20:00 u mësua se ai kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të rënda.
Sipas policisë, i riu u godit 4 herë me thikë, dy në gjoks dhe 2 në këmbë.
Amarildo Hoxhallari është një emër i njohur në skedarët e policisë. Në vitin 2015 ai u arrestua së bashku me kushëririn e tij Aurel Hoxhallari pasi u akuzuan se ishin porositës dhe financues në atentatin e ndodhur më 5 janar 2015 në rrugën e Kavajës në Tiranë ku mbeti i plagosur Pajtim Serjani, miku i Emiljano Shullazit dhe një efektiv.
Nga të shtënat e armës së efektivit Roland Meta mbeti i vrarë atentatori Artur Baze që sipas policisë ishte paguar nga kushërinjtë Hoxhallari.
Ndërkohë, në 2018, Aurel Hoxhallari pagoi shtetasin grek Efthymiou Efthymious për të vrarë Devi Kasmin. Kushëriri i 34-vjeçarit Aurel Hoxhallari u dënua me burgim të përjetshëm ndërsa Gjykata e Posaçme i konfiskoi pasurinë.