Gjykata e Lartë vendosi të shtyjë për në 11 qershor rekursin e bërë nga Dritan Dajti, kundër dënimit të tij me 25 vite burg.
Seanca e planifikuar për sot dështoi për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues, pasi me herët një tjetër trupë gjykuese kishte pranuar kërkesën e Dajtit për përjashtim të gjyqtarit Medi Bici.
Dritan Dajti u prangos në vitin 2009 për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer ndaj punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, akuza të cilat i mohon duke pretenduar se qëlloi me armë për t’u vetëmbrojtur pa e ditur se ata ishin policë.
Në atë ngjarje u vra edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara si dhe u plagos një pushues. Në asnjë seancë gjyqësore Dritan Dajti nuk ka pranuar që t’i ketë vrarë katër punonjësit e policisë me qëllim, por ka theksuar se në përleshjen e asaj dite është vetëmbrojtur.