Aktori Alec Baldwin shprehu tronditjen dhe hidhërimin e tij, pasi arma që po përdorte në sheshxhirim i mori jetën drejtores së fotografisë Halyna Hutchins.
“Ndihem zemërthyer për bashkëshortin e saj, djalin e tyre dhe të gjithë ata që e njihnin dhe e donin Halyna-n”, shkuajti aktori në një postim në Twitter.
42-vjeçarja u qëllua për vdekje në sheshxhirimin e filmit western Rust, në New Mexico.
“Nuk ka fjalë për të shprehur tronditjen dhe dhimbjen për këtë aksident tragjik që i mori jetën Halyna Hutchins, një grua, nënë dhe një kolege thellësisht e admiruar e jona. Po bashkëpunoj plotësisht me hetimin e policisë për të zbuluar sesi ndodhi kjo ngjarje tragjike”, tha Baldwin më tej në reagimin e tij.
Hutchins u dërgua me helikopter drejt spitalit pas të shtënave që ndodhën të enjten pasdite, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Nga ngjarja mbeti po ashtu i plagosur edhe regjisori i filmit, 48-vjeçari Joen Souza. Ai mësohet se pasi mori mjekimin u largua nga spitali, megjithatë gjendja shëndetësore e tij mbetet e paqartë.
Baldwin qëlloi me armë imituese, të cilat përdoren zakonisht në filma (anglisht, prop). Këto janë armë të vërteta zjarri të cilat brenda kanë fishekë bosh dhe pa kokë, që shkrepen dhe krijojnë zhurmë. Policia po përpiqet të përcaktojë se çfarë lloj plumbi doli nga arma dhe si.
Mediat lokale raportuan se aktori Baldwin ishte parë me lot në sy jashtë zyrës së sherifit, në Santa Fe County. Aktori është bashkë-producent i Rust. Baldwin ka luajtur në shumë seriale dhe filma që prej vitit 1980.
Ndërsa Hutchins ishte nga Ukraina dhe u rrit në një bazë ushtarake sovjetike në Rrethin Arktik. Ajo studio gazetari më Kyiv dhe film në Los Angeles.
Incidente të tilla në sheshxhirime janë tepër të rralla, por jo të pa dëgjuara më parë. Armë reale përdoren shpesh në filma.
Në vitin 1993, Brandon Lee, djali 28-vjeçar i yllit të arteve marciale Bruce Lee, vdiq në sheshxhirim pasi u qëllua aksidentalisht me një armë të tillë ndërkohë që xhironte skenën e vdekjes në filmin The Crow (shqip, Korbi). Arma gabimisht kishte një plumb qorr në të.