Gjykata për Krime të Rënda dënoi me burgim të përjetshëm, Fadil Kasemin.
Ky i fundit vrau bashkëshorten e tij, gjyqtaren Fildeze Hafizi.
Gjatë seancës së sotme, mbrojtja pretendoi rrëzimin e akuzës së rrëmbimit, ndërsa pranoi akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje, dhe kërkoi lehtësimin e masës së dënimit.
Në fund, avokati Ilia Ilia, kërkoi nga gjykata dënimin e Kasemit në një total prej 25 vite.
Gjatë fjalës së tij, Kasemi tha se ishte penduar për krimin, ndërsa kërkoi që në argumentimin e vendimit të merreshin parasysh edhe arsyet që e kishin çuar që ai të kryente vrasjen.
Mbi Kasemin rëndojnë tre akuza, “vrasje”, “armëmbajtje pa leje” dhe “rrëmbim dhe mbajtje peng personi”. Krimi i rëndë u shënua me 31 gusht 2017 pranë shtëpisë ku banonte Fildesi, dy fëmijët dhe prindërit e saj të moshuar.
Fildese Hafizi u qëllua për vdekje në automjetin e saj me dy plumba nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi me të cilin kishte më shumë se dy vjet që ishte divorcuar.
Sipas akuzës i pandehuri e kishte kërcënuar gjyqtaren edhe më herët publikisht me armë, në prani edhe të fëmijëve të tyre.