Dënohet me burgim të përjetshëm, Apostol Kosta, 76-vjeçari nga Gjirokastra, që në tetor të 2017-ës, vrau me armë automatike çiftin Aleko dhe Afërdita Kosta, kushërinj të tij.
Trupi gjykues i përbërë nga Mirela Iliopulli, Enkelejda Doda dhe me kryesues Arben Dostin, pasi kanë dëgjuar pretencën e dhënë nga ana e prokurorit Emror Kasaj, i cili kërkoi burgim të përjetshëm për Kostën, mbështetën tërësisht të gjitha aktet e vëna në dispozicion të gjykatës dhe përfundimisht e dënuan me burgim të përjetshëm Apostol Kostën.
Procesi gjyqësor fillimisht e kishin marrë për shqyrtim Krimet e Rënda në kryeqytet dhe më pas iu përcoll për gjykim Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër.
Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit në lagjen “Palorto” në Gjirokastër, ne tetor 2017, ku shkak kanë qenë konfliktet gjyqësore, për shembjen e një muri. Pas ngjarjes së rëndë ai tentoi vetëvrasjen.
Aleko Kosta ishte muzikant, saksofonist, ndërsa Afërdita Kosta mësuese. Çifti u bë i njohur për publikun, pasi pak kohë më parë ka qenë protagonist në rubrikën ‘Ka një mesazh për ty’ te “E diela shqiptare”. Afërdita Kosta i bëri një surprizë burrit, pasi për shkak të emigracionit ishte shkëputur nga muzika. Çifti Kosta kishte një fëmijë, ndërsa gëzonin respektin e qytetarëve të Gjirokastrës.