Aktualitet Vrau dhe më pas zhduku trupin e Ruzhdi Hoxhës, Prokuroria kërkon 18...

Vrau dhe më pas zhduku trupin e Ruzhdi Hoxhës, Prokuroria kërkon 18 vjet burg për Fredi Rrushin

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 18 vite burg për Fredi Rrushin, të akuzuar për vrasjen dhe zhdukjen e Ruzhdi Hoxhës, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2021.

Sipas prokurorisë së kryeqytetit Rrushi duhet të fajësohet për “vrasje me paramendim”, “armëmbajtje pa leje” dhe “fshehje ose asgjësim i kufomës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, prokuroria i kërkoi gjykatës të reflektojë uljen e një të tretës të masës së dënimit të kërkuar.

Në të njëjtën pretencë, prokurori Adriano Dyrmishi, kërkoi një dënim me 1 vit e 6 muaj burg për të pandehurin Pajtim Rrushi, për akuzën e “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Trupi i pajetë i Hoxhës u gjet më 6 nëntor 2021, pasi ishte denoncuar si i zhdukur nga familjarët e tij dy javë më parë. Hoxha kërkohej prej 24 tetorit 2021, tre ditë pasi familjarët kishin humbur kontaktet me të. Njeriu i fundit që takoi Hoxhën ishte Ferdinant Rrushi, aktualisht në paraburgim, i cili pretendon se e ka lënë mikun e tij në zonën e Treshit në Tiranë.

43-vjeçari ishte biznesmen në fushën e inerteve në Tiranë. Për herë të fundit Hoxha ishte fiksuar nga një kamera sigurie në zonën e autostradës Tiranë-Durrës pranë një biznesi. Fillimisht, ishte djali i tij që referoi rastin në komisariatin numër 5 për t’u regjistruar më pas në Policinë e Tiranës. Nga kërkimet e kryera blutë e kryeqytetit kanë mundur të gjejnë kartën sim të telefonit të Hoxhës përmes së cilës janë zbuluar dhe komunikimet e fundit të tij. Mes tyre ishte edhe një telefonatë me shtetasin Fredi Rrushi, i skeduar nga drejtësia italiane për trafik droge.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Tabulatet e telefonit kanë “tradhtuar” Fredi Rrushin, të akuzuarin kryesor për vrasjen dhe zhdukjen e Ruzhdi Shehut. Sipas dosjes së prokurorisë, telefoni i tij mbrëmjen e ngjarjes rezulton të ketë qëndruar gati 2 orë prapa Dajtit, ku u gjet i pajetë dhe i mbuluar me gurë e zhavorr miku i tij.

Referuar hetimit, rezulton se në orën 23:35 minuta të 21 tetorit automjeti ku ndodhej Fredi Rrushi, Ruzhdi Hoxha dhe dy persona të tjerë ka lëvizur nga një lokal në zonën industriale në aksin Tiranë-Durrës, drejt rrugës “Gjergj Legisi” zonë e njohur si “Treshi”.

Sipas dëshmive, në këtë vend kanë zbritur prej tij dy personat e tjerë, ndërsa kanë vijuar lëvizjen Rrushi dhe Hoxha. Në deklarimet në Polici, Rrushi ka pretenduar se pas një xhiroje në zonë Ruzhdi Hoxhën. Por nga analizimi i lëvizjes së telefonit celular të Fredi Rrushit ka rezultuar se rrugëtimi i mjetit të drejtuar prej tij ka lëvizur drejt Spitalit Ushtarak e më tej në rrugën “5 Maji”.

Në orën 00:41 minuta mjeti ka qenë në Kinostudio për të vijuar më tej në Fresk, Qesarakë, Linzë e Rrëza e Dajtit. Në orën 01:18 minuta qeliza e tij telefonike logonte në antenën e Murrizës, zonë prapa Dajtit.

Sipas të dhënave i tillë ka qëndruar deri në orën 02:44 minuta. Prokuroria e Tiranës ka ngritur dyshime se në këtë hark kohor është ekzekutuar, hedhur në greminë dhe mbuluar trupi i biznesmenit. Ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë të mbledhura në këtë itinerar shquhet se në rrugën në drejtim të Dajtit në mjet shquhen dy persona, ndërsa në kthim shquhet vetëm një i tillë në makinë.

Lëvizjet e Rrushit janë konfirmuar edhe nga qeliza e telefonit të viktimës, që pas ngjarjes u hodh nga i dyshuari si autor në zonën e Shkollës së Bashkuar.