Aktualitet Vrau djalin në Maliq, dëshmia e autorit 77-vjeçar: Pinte çdo ditë, nuk...

Vrau djalin në Maliq, dëshmia e autorit 77-vjeçar: Pinte çdo ditë, nuk duroja dot më

Autori i krimit, Shefki Bylykbashi (majtas) dhe viktima, Hamdi Bylykbashi

Në gjendje të rënduar psikologjike, Shefki Bylykbashi, ka pranuar vrasjen e të birit në Maliq të Korçës.

77-vjeçari ka deklaruar para policisë, se nuk ka patur konflikt për asnjë arsye me të birin, por fakti që 50-vjeçari vinte në gjendje të dehur çdo ditë në shtëpi, ka bërë që të konfliktoheshin të premten.

“Më bezdiste shumë kohët e fundit, ai më parë nuk pinte kështu, por filloi të pinte çdo ditë. Nuk duroja dot më këtë sjellje. Nuk doja ta bëja këtë veprim, nuk doja ta vrisja, por nuk po më mbante më durimi, ma solli në atë pikë që nuk duroja dot më”, – ka thënë autori i krimit para oficerëve të policisë.

Viktima Hamdi Bylykbashi ishte djali i vetëm i familjes, me 5 motra. 50-vjeçari ishte i martuar dhe divorcuar dy herë dhe ka dy vajza të cilat jetojnë në Francë.

Sipas Kryeplakut të fshatit, Adriatik Lilo, viktima kishte probleme me alkoolin, ndërsa i ati i tij ishte i sëmurë me sklerozë.

“Dje më lajmëruan për ngjarjen që kishte ndodhur. Thanë që ishte rrëzuar, erdhi ambulanca, nëna iku bashkë me ambulancën më pas na lajmëruan që kishte ndërruar jetë në spital. Viktima kishte probleme me alkoolin, ishte i divorcuar, edhe babai kishte sklerozë”, është shprehur Lilo.

Ai tregoi më tej se dhe 77-vjeçari ishte në depresion dhe nuk ishte mirë.

“Babai nuk ishte i goditur. Nuk e di çfarë të them se nuk kam qenë aty. I ati si gjithmonë, i njëjti ishte. Ka kaluar depresion, nuk ka qenë mirë dhe i ati këto kohët e fundit. Nuk ka qenë ai Shefki që ka qenë i pari se unë jam rritur me ta dhe i njoh shumë mirë. Kanë qenë familje e nderuar. Vetëm me pijen. Hamdiu ishte djalë i vetëm. S’e kam parë viktimën, më thanë që është shumë keq, me gjak, i dëmtuar, ka çarë kokën dhe duhet ambulanca kaq”, tha ai.

Mësohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur në oborrin e shtëpisë dhe familjarët janë përpjekur të fshehin rrethanat, për ta raportuar në polici si një rast aksidental.

Por pas hetimeve të thelluara, rezultoi se ai ishte vrarë. Viktima ka qenë në gjendje të dehur dhe është konfliktuar në shtëpi me babain.

Pas sherrit, ka dashur ta hedhë të atin në pusin e ujit në oborr. Për pasojë 77-vjeçari e ka goditur disa herë në kokë me një çekiç që e përdorte për të thyer gurë.

Për shkak të dëmtimeve, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit në spitalin e Korçës

77-vjeçari akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.