Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Përparim Ademin, i cili vrau 2 motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi.
Ngjarja ndodhi më 31 dhjetor 2020 në zonën e Astirit në kryeqytet.
Përparim Ademi kishte apeluar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe kërkoi kthimin e çështjes për rigjykim.
Por trupa gjykuese me drejtuese Valdete Hoxhën ka lënë në fuqi vendimin me burgim të përjetshëm.
Përparim Ademi shkoi i armatosur me kallashnikov, të cilin e kishte fshehur në një çantë. Në hyrje të pallatit, ai ka lënë biçikletën e tij. Kur ka mbërritur përpara derës së banesës ku jetonin Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, Përparim Ademi është përballur me dy motrat.
Në këtë moment, pa u futur ende brenda apartamentit, 59-vjeçari ka shkrepur armën. Dhe kjo vërtetohet nga shenja e plumbit që ka mbetur në derën kryesore të banesës. Pasi ka hyrë në brendësi, Përparim Ademi qëlloi me breshëri kallashnikovi dy motrat. Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi mbetën të vdekura në vend.
13 minuta më vonë, Përparim Ademi largohet nga e njëjta rrugë. Ai përshkon të njëjtin itinerar, por kësaj radhe pa biçikletë. Nëse do t’i rikthehemi sërish pamjeve të para, do të vëmë re se goma e parë e biçikletës ishte e shfryrë.
Pasi vrau me gjakftohtësi dy motrat, 59-vjeçari largohet qetësisht në këmbë. Me njërën dorë në xhep, Përparim Ademi është filmuar duke u arratisur nga vendngjarja. Rreth 1 orë më vonë, ai u arrestua nga policia pranë shkollës “Vasil Shanto”.