Azgan Mërnica, i cili ka qëlluar për vdekje me një plumb në kokë policin e forcave Shqiponja, Novruz Cenaliaj është lënë në burg.
Vendimi është marrë ditën e sotme, ku 23-vjeçari ka mbërritur në gjykatë nën masa të rrepta sigurie, teksa është parë edhe i veshur me anti-plumb.
Ndaj të riut rëndojnë akuzat për veprat penale, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” si edhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
23-vjeçari i cili mesditën e së hënës vrau me armë zjarri efektivin Novruz Cenalia, u vetëdorëzua 48 orë pas krimit.
Mbrëmjen e së mërkurës ai u dërgua nga familjarët në drejtorinë e policisë së Fierit, pasi më parë ishte lokalizuar nga RENEA.
Para hetuesve, vetë 23-vjeçari e ka pranuar krimin e rëndë dhe nuk ka shfaqur pendesë. Ai ka treguar se po udhëtonte me shpejtësi kur desh u përplas me makinë me efektivin e Shqiponjave, në një prej rrugëve të fshatit Baltëz.
28-vjeçari, i cili ishte nisur për në punë, i bëri me shenjë të ndalonte dhe pasi zbritën nga mjetet iu drejtua me fjalët “ku shkon me këtë shpejtësi”. Nën pretendimin se u ndje i frikësuar, Mërnica u tregoi hetuesve se e qëlloi policin Cenalia, sapo ky i fundit u kthye me kurriz për nga makina e tij.
Për më shumë se 48 orë, vrasësi 23-vjeçar u fsheh nëpër kanalet e fshatrave të Fierit. Pasditen e së mërkurës, u kthye në shtëpinë e dajës së tij në Dërmenas, pasi siç pranoi ishte edhe i uritur pasi kishte dy ditë pa ngrënë.
Mbi Azgan Mërnicën rëndon akuza e vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit dhe armëmbajtje pa leje.