Denis Meçe, i arrestuar si autor i vrasjes së Egli Progës në Pogradec, nuk ka qenë emër i panjohur për blutë e qytetit liqenor.
Mësohet se 29-vjeçari Meçe ka pasur precedentë të mëhershëm penalë, kryesisht në veprat penale që cënojnë rendin dhe sigurinë publike, ndër to dhe plagosje të shtetasve të tjerë apo edhe kundërshtim të forcave të policisë.
Edhe për vetë banorët e Pogradecit, ky shtetas është njohur si person tepër problematik, i cili merrej me veprimtari të dyshimta dhe kishte shpeshherë sjellje agresive në qytet.
Gjatë viteve 2014, 2016 dhe 2020 shtetasi Denis Meçe rezulton i proceduar disa herë nga policia, por sipas të dhënave ai asnjëherë nuk është dënuar nga gjykata, ndërsa 29-vjeçari ka arritur të shpëtojë nga procedimet penale.
Ndërkohë prej 11 gushtit 2024 ndodhet i arrestuar pasi akuzohet se vrau Eglantin Progën.
Prokuroria e akuzon për ‘vrasje nga pakujdesia’ , që nënkupton një masë dënimi më të ulët sesa vepra penale që kishte referuar dosjen policia ‘vrasje me dashje’.
Për t’i shpëtuar qelisë, Meçe dhe avokati i tij pretendoi se Meçe nuk i është arratisur për disa orë policisë, por duke qenë se ishte në gjendje të dehur, është larguar nga vendi i krimit, ka fjetur në makinë e kur është përmendur ka shkuar në polici.
Në vendimin e gjyqtares Luljeta Kole, thuhet se ai i kërkoi falje edhe familjes, por në dëshminë e dhënë menjëherë pas dorëzimit thotë se donte ta qëllonte thjesht me një shpullë viktimën e tij pasi e kishte sharë, edhe pse në dosje evidentohen qartë shenja dhune në trupin e 42-vjeçarit.
Nga ana tjetër në dosje evidentohet edhe fakti se dhuna konfirmohet edhe nga një përgjim ambiental që i është bërë dëshmitarëve Leonidha Guce dhe Arian Manellari, të cilët pyesin të shqetësuar njëri-tjetrin se si ka mundësi që Eglantini ndërroi jetë nga një grusht, ndërkohë që në polici kishin deklaruar se nuk e kishin parë ngjarjen.
Ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e së shtunës së datës 10 gusht në Pogradec tronditi opinionin publik dhe solli një varg reagimesh deri në instancat më të larta të politikës dhe shtetit.