60-vjeçari shqiptar i cili i fiku respiratorin një pacienti grek në spitalin e Athinës në Greqi duke i shkaktuar vdekjen, është arrestuar nën akuzën për vrasje.
Shqiptari ishte i shtruar në të njëjtin pavion me pacientin 76-vjeçar grek, pasi kuroheshin për sëmundjen e Covid-19. 60-vjeçari tha se e bezdiste zhurma e respiratorit dhe e fiku duke i shkaktuar vdekjen pacientit tjetër për shkak të mungesës së oksigjenit.
Por policia greke ka zbuluar të tjera informacione për shqiptarin. 60-vjeçari vuan prej kohësh nga çrregullimi bipolar.
Po kështu, ai ka qenë disa herë i skeduar nga autoritetet greke. Në vitin 2006 ishte përfshirë në një sherr, ndërsa në vitin 2019 ishte proceduar për ngacmim seksual ndaj një të mituri.
Tashmë pacienti shqiptar është transferuar në një spital tjetër ku po mjekohet pasi është i infektuar me Covid. Ai mbahet nën mbikëqyrjen e policëve pasi akuzohet për vrasje.