Pedagogu amerikan Matthew Janes Wertz 53 vjeç që vrau gruan, dy qentë dhe më pas veten në banesën e tyre në Tiranë, ka lënë pas një letër me shkrim dore.
Kjo letër, që është sekuestruar nga grupi hetimor i Policisë së Tiranës, është e shkruar në gjuhën angleze dhe janë përshkruar veprimet që ai ka ndërmarrë.
Zyrtarisht nga Policia e Tiranës është bërë me dije se krimi ka ndodhur të hënën në banesën e tyre në Laprakë. Pedagogu amerikan ka mbytur me litar gruan e tij Saragih Indah Lilis Sartika me origjinë indoneziane, dhe më pas me një shkop bejsbolli ka goditur dy qentë e tyre duke i lënë të vrarë. Trupin e pajetë të gruas dhe dy qentë e ngordhur i kishte mbuluar me rroba.
Më pas, 53-vjeçari amerikan që punonte si pedagog në një shkollë private në Tiranë, vari veten me litar.
Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur nën kushte të rënduara psikologjike.
Përpos letrës të lënë nga vetë autori, policia ka sekuestruar edhe dorëshkrime të mëparshme të shtetasit Matthew Janes Wertz të sekuestruara në shkollën private ku ai jepte mësim, një celular; katër kompjutera laptop, një shkop bejsbolli, një shumë parash në lekë shqiptare dhe valuta të huaja, një automjet tip Mercedes A Class, me targë AA 510 YP në pronësi të 53-vjeçarit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë.