58-vjecari Koçi Buzo i cili ekzekutoi gruan në Elbasan në dëshminë e tij ka thënë se “i kishte kërkuar Liljana Buzos që mos të divorcoheshin, por ajo nuk e kishte dëgjuar”. Ai është shprehur se e qëlloi pasi 54-vjeçarja e kishte denoncuar për dhunë dhe kishte frikë se do të futej në burg.
“I kisha thënë se nuk do të ndahej nga unë. E kisha paralajmëruar të mos shkonte në gjykatë për divorc. Ajo nuk më dëgjoi”, kështu është shprehur para grupit hetimor Koçi Buzo i cili të enjten vrau bashkëshorten pranë gjykatës së Elbasanit. 58-vjeçari ka thënë gjithashtu se gruaja donte ta denonconte për dhunë dhe të merrte urdhër mbrojtjeje dhe sipas tij gruaja donte ta fuste në burg ndaj ai e qëlloi.
Ngjarja ndodhi pasi çifti doli nga seanca gjyqësore në gjykatën e Elbasanit. 58-vjeçari e ndoqi bashkëshorten duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi dhe duke e goditur edhe me thikë. Koçi Buzo e kreu krimin e rëndë në sy të njërit prej djemve, ndërsa gruaja Liljana Buzo humbi jetën rrugës për në spital duke mos i mbijetuar plagëve të marra.
Nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur edhe avokati Gëzim Toçila, ndërsa u lëndua lehtë edhe një kalimtar i rastit. Autori Koçi Buzo u vu në pranga teksa largohej pak metra larg vendit të ngjarjes ndërsa iu sekuestruan edhe arma kallashnikov dhe thika që përdori për të vrarë bashkëshorten.