Gjykata e Apelit zbut dënimin ndaj Rei Metës, djalit të anëtares së KLP, Nurihan Seiti, i akuzuar për “vrasjen nga pakujdesia” të 55-vjeçarit, Armand Meshau, gushtin e vitit 2023 në Vlorë.
Ndonëse ka lënë të pa ndryshuar kualifikimin e veprës penale, Apeli ka vendosur të ndryshojë dënimin me 3 vjet burg, dhënë nga Gjykata e Vlorës, në një dënim të ri me 2 vjet e 3 muaj.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht, Meta duhet të vuajë 18 muaj burg.
Ngjarja për të cilën u dënua Meta ndodhi në ambientet e një internet-kancelarie në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë.
Pas një konflikti verbal për shkak të një borxhi të pretenduar ai goditi disa herë me grushte biznesmenin Meshau, duke i shkaktuar dëmtime që i morën jetën.