Gjykata e Tiranës ka dënuar me 20 vite burg Klajdi Shundin, i cili vrau me thikë kunatin e tij Vladimir Zvezhda një vit më parë për motive të dobëta. Pak ditë më parë, Prokuroria kishte kërkuar 30 vite burg.
Ngjarja ndodhi natën e Vitit të Ri 2020 në banesën e autorit, i cili ka qenë në gjendje të dehur dhe pas krimit u arrestua menjëherë nga policia.
Gjatë festimeve, ka nisur një debat mes kunatit dhe motrës, ndërsa Klajdi ka ndërhyrë, duke iu kërkuar të mos zihen në shtëpinë e tij, pasi janë mbledhur për festë.
Gjithçka ka shkuar mirë deri rreth orës 03:00 të mëngjesit, ku para ngjarjes të gjithë kanë bërë një foto së bashku për kujtim.
Kur Zvezhda do largohej me gruan e dy vajzat, ai është konfliktuar sërish me të shoqen, Silvën. Mbesa e madhe ka telefonuar dajën, Klajdin, duke i thënë “daja, mami e babi po zihen, eja të lutem“.
Kur Klajdi Shundi ka dalë tek shkallët e pallatit, ka pasur në dorë një thikë dhe ka parë kunatin duke u zënë me të motrën.
Kaq ka mjaftuar dhe ai ka goditur Zvezhdën me thikë e për pasojë i ka shkaktuar plagosje të rëndë. Zvezhda është dërguar në spital, por pa mundur t’i mbijetojë plagëve e për pasojë ka ndërruar jetë.
Shundi kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia dhe në Shqipëri po riniste jetën, duke marrë edhe një apartament, ku festoi para tragjedisë me motrën, kunatin dhe dy mbesat.