Aktualitet Vrau me thikë vajzën 16-vjeçare dhe italianin, si dhe plagosi gruan, gjykata...

Vrau me thikë vajzën 16-vjeçare dhe italianin, si dhe plagosi gruan, gjykata rrëzon kërkesën e Taulant Malajt për gjykim të shkurtuar

Gjykata e Foggia-s ka hedhur poshtë kërkesën për gjykim të shkurtuar për 43-vjeçarin shqiptar Taulant Malaj i cili Majin e kaluar vrau vajzën 16-vjeçare,Xhesika italianin Massimo de Santis dhe plagosi rëndë bashkëshorten e tij, Tefta. Gjyqtarja Francesca Mannini e cilësoi këtë kërkesë si të papranueshme. Në këtë mënyrë parashikohet që gjyqi për Malajn të zhvillohet sipas procedurës së zakonshme më 22 Mars. Si i akuzuari dhe bashkëshortja e tij, ishin të pranishëm në sallën e gjyqit. Me vete ishte djali i çiftit, 5 vjeç i cili ka dëshmuar të gjithë dhunën. Gruaja mbrohet nga avokati Roberto de Rossi dhe është bërë palë civile në këtë proces. Në sallë ishin të pranishëm edhe familjarët e Massimo De Santis.

“Sot ishte një seancë e rëndësishme sepse mund të kishte ulje të paracaktuara të dënimit dhe ne jemi shumë të kënaqur me rezultatin. Klientja ime nuk është e motivuar nga hakmarrja pavarësisht eksperiencës që përjetoi, por është e prekur nga nevoja për drejtësi. Ajo po përballet me një rrugë shumë delikate psikologjike dhe kërkon drejtësi sidomos për vrasjen e vajzës së saj, Xhesika. Nuk do të jetë një rrugë e thjeshtë procedurale, por ne jemi të vendosur”, tha avokati i shqiptares.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 7 Maj të vitit të kaluar dhe tronditi opinionin publik. Viktima e parë ishte 51-vjeçari Massimo De Santis. Ai jetonte në të njëjtën ndërtesë me Malajn dhe u godit në hyrje të pallatit disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Më pas, shqiptari shkoi në apartamentin e tij, ku nisi të godiste të shoqen. Në mbrojtje të kësaj të fundit doli Xhesika, 16 vjeçe, e cila u plagos shumë rëndë dhe më vonë humbi jetën. E gjithë ngjarja ndodhi në sy të fëmijës 5 vjeç, që siç shkruajnë mediat është ende në shok. Ngjarja ndodhi pasi Malaj dyshonte se gruaja e tij kishte një lidhje me italianin De Santis.