Elton Javori 41-vjeç mbeti i vrarë me armë zjarri paraditen e kësaj të enjteje në Fier. Ngjarje e rëndë ndodhi rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli”, e njohur ndryshe si lagjja e ‘Backallinjve’, në rrethana momentalisht të paqarta.
Në një informacion zyrtar për mediat, policia e Fierit tha se ka mundur të identifikojë autorin e dyshuar dhe po punon për kapjen e tij. Motivet e kësaj vrasjeje për momentin nuk dihen.
“Rreth orës 11:00, në lagjen “16 prilli”, është vrarë me armë zjarri shtetasi Elton Javori, 41 vjeç, banues në Fier. Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë identifikuar autorin dhe po punojnë për kapjen e tij. Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, si dhe vijon intensivisht krehja e zonës. Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit“, tha policia në një informacion paraprak për mediat.
Për ngjarjen reagoi edhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
“Janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorit. Po punohet për sqarimin e rrethanave dhe motiveve që kanë çuar me këtë ngjarje të rëndë. Ju siguroj që Policia e Shtetit brenda një kohe shumë të shkurtër do të vejë para drejtësisë autorin”, tha Rrumbullaku i pyetur nga gazetarët gjatë një konference për mediat.