Aktualitet Vritet me armë zjarri 43-vjeçari në Tropojë

Vritet me armë zjarri 43-vjeçari në Tropojë

Një ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Dojan të Tropojës këtë të premte rreth orës 13:40.

43-vjeçari Artur Dauti ndërroi jetë pasi u qëllua me armë zjarri. Ngjarja ndodhi në një lokal.

Sipas asaj që njofton policia, viktima u qëllua nga 35-vjeçari Flordian Mulaj për motive të dobëta.

Pas vrasjes ai u arratis nga vendi i ngjarjes.

“Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës, specialistët e Hetimit të Krimeve, dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Shkodër, për lokalizimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia.

Po ashtu po vijojnë hetimet për të zbuluar rrethanat e plota të kësaj ngjarje. Policia po shoqëron ndërkohë persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje.

Mësohet se si viktima dhe autori kanë qenë në lokal të dehur të dy. Mes tyre ka pasur një sherr dhe më pas 35-vjeçari e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend.

Mësohet se mes Dautit dhe Mulajt nuk ka pasur probleme të mëparshme.