Aktualitet Vritet me thikë një 28-vjeçar në Elbasan, plagoset vëllai i tij

Vritet me thikë një 28-vjeçar në Elbasan, plagoset vëllai i tij

Një i vrarë dhe një i plagosur është bilanci tragjik i një sherri me thika të ndodhur mbrëmjen e kësaj të premteje në qytetin e Elbasanit.

Viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur Florenc Kovaç, 28 vjeç. Ndërsa vëllai i tij i vogël, 19-vjeçari Mikel Kovaçi ka mbetur i plagosur..

Zyrtarisht, policia e Elbasanit tha se ngjarja ndodhi rreth orës 19:50, në lagjen “Qemal Stafa”.

Dyshohet se gjithçka erdhi pas një konflikti për një vajzë mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë.

Përplasja mes palëve u përshkallëzua deri në përdorimin e thikës, që ishte fatale për 28-vjeçarin që humbi jetën.

Sa i përket autorëve të kësaj ngjarjeje identiteti i tyre nuk dihet ende. Policia thotë se po punon për kapjen e tyre.

Njoftimi i Policisë: Më datë 05.11.2021, rreth orës 19:50, në lagjen “Qemal Stafa”, Elbasan, pas një konflikti për motive të dobëta mes dy vëllezërve dhe disa personave të tjerë, konflikti është përshkallzuar dhe për pasojë dy vëllezërit janë plagosur me mjet prerës thikë.

Si pasojë e plagëve të marra njëri prej vëllezërve Florenc Kovaçi, rreth 28 vjeç, banues në Elbasan ka ndërruar jetë ndërsa vëllai tjetër Mikel Kovaçi 19 vjeç, ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e policisë po krehin zonën me qëllim kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e autorit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.