Një i ri shqiptar ka mbetur i vrarë në Spanjë. Endrit Sinaj, 29 vjeç, u qëllua me armë zjarri më 23 Prill, por u identifikua nga autoritetet spanjolle këtë të enjte. Mediat iberike shkruajnë se ai vdiq në dyert e urgjencës së një spitali në Girona.
I riu kishte precedentë penalë që lidheshin me trafikimin e marijuanës dhe vjedhjeve të dhunshme në Spanjë e Shqipëri.
Sipas asaj që shkruajnë mediat spanjolle, Sinaj kishte vetëm pak ditë që ishte liruar me kusht pasi ishte arrestuar si pjesë e një operacioni kundër trafikut të marijuanës në Marbella.
Sinaj u arrestua së bashku me një bashkatdhetar tjetër në La Selva. Megjithatë, gjykata në Marbella i dha atij lirinë me kusht. Shoku i tij vijon të jetë ende në qeli.
Të njëjtat burime thonë se ka qenë një plumb në bark që i ka marrë jetën 29-vjeçarit.
Dyshohet se autor i kësaj ngjarje është një shqiptar tjetër, por deri më tani nuk dihet identiteti i tij. Po ashtu edhe motivi i atentatit është ende i panjohur. Autoritetet spanjolle vijojnë hetimet.
Mësohet se Sinaj u dërgua në spital nga një tjetër shqiptar. Ai u identifikua pasi autoritetet panë kamerat e sigurisë. Megjithatë ky person i tretë nuk ka dhënë shumë informacione pasi ka shpjeguar se e ka gjetur Sinajn të plagosur në anë të rrugës dhe e ka çuar në urgjencë.
Pasi u mor në pyetje dhe pasi u ushtrua një kontroll në shtëpinë e shqiptarit të tretë në Tordera, hetuesit dolën në përfundimin se nuk kishte lidhje me vrasjen.
Sinaj njihej nga autoritetet për precedentët e tij penalë. Edhe në Shqipëri ai ishte arrestuar për tentativë grabitjeje me armë. Më 27 Tetor 2020, ai u arrestua së bashku me 4 persona të tjerë pasi tentuan që të vidhnin një banesë në fshatin Kropisht të Selenicës.
Sinaj dhe shokët e tij u prezantuan si punonjës policie, por tentativa e tyre dështoi. Për këtë ngjarje, Endrit Sinaj dhe një nga shokët e tij u liruan dhe u lanë me masën e sigurisë detyrim paraqitje.