Një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të hëne në Lushnje, ndërsa 5 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit dhe objektiv dyshohet se ka qenë pronari i bar Pedonales, që ndodhet në qendër të këtij qyteti.
Viktima është pikërisht pronari i lokalit, Bledar Muça, rreth të 40-tave, ndërsa sa i përket të plagosurve, zyrtarisht policia tha se ata janë Judin Velo, Ervis Tafa dhe Sara Liçi.
Megjithatë, duke iu referuar burimeve nga spitali, Tv Klan raporton se të plagosur kanë mbetur edhe dy vajza që kanë qenë të ulura në ambientin jashtë lokalit në fjalë. Ato janë Majlinda Gjyla dhe Sara Cauli.
Autorët dyshohet se kanë hapur zjarr nga një automjet në lëvizje, ndërkohë që viktima po pinte kafe në lokal, me një prej të plagosurve, Judin Velon.
E gjithë ngjarja e rëndë ndodhi në një kohë kur në zonë ndodheshin qytetarë të shumtë.
Mbeten të paqarta shkaqet apo personat që fshihen pas këtij atentati.
Në vendin e ngjarjes ndodhet policia, e cila në një informacion paraprak tha: “Sot rreth orës 22:00, në një lokal në pedonalen e qytetit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi B. M dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit J. V., 32 vjeç, E. T dhe S. L., 24 vjeçe të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes”.