“Kryeministri Kurti e sheh veten në rolin e Zelenskit, liderin e ri të Shqipërisë së Madhe i cili do të bashkojë vendet shqipfolëse”.
Kështu shprehet presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili ndërlidh atë që parashikon se do të jetë një intensifikim i ofensivës ukrainase gjatë ditëve në vazhdim, me një ashpërsim të terrorit të kryeministri të Kosovës kundër serbëve.
Teksa heq paralele mes aksionit në të dyja vendet, ai paralajmëron komunitetin serb në Kosovë të tregojë kujdes nga ofensiva e re e Kurtit.
“Pres që ofensiva në Ukrainë të nisë të hënën ose të martën dhe gjatë ditëve në vazhdim do të shohim ofensivë shtesë në Kosovë. Prandaj u kërkoj serbëve të tregojnë kujdes, kujtdo që mendon se këto akte çnjerëzore mund t’i shenjëstrojnë ata. Kurti nuk është në vete. Kam frikë se terrori i tij mund të bëhet edhe më i ashpër pasi ai e imagjinon veten në rolin e Zelenskit”, tha Vuçiç.
Sipas Vuçiç, Kurti nuk është burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës, dëshiron të jetë një Enver Hoxha i ri, fiksimi i të cilit është vetëm është t’i dëbojë serbët nga vatra.
“Ky është student i Adem Demaçit, një njeri që ndërsa Tito kujdesej për çdo shqiptar, i kaloi 18 vjet në burg. Kurti është student i tij”, shtoi presidenti serb.
Ai përsëriti pretendimet se aleatët perëndimorë nuk shqetësohen për të drejtat e serbëve në Kosovë, që siç theksoi, po i nënshtrohen terrorit. Sipas tij, pjesëtarët e komunitetit serb që janë arrestuar në javët e fundit në Kosovë janë të pafajshëm.