Dështimi në rinisjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Paralajmërimi vjen nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
“Çdo ditë zvarritje, ka krijuar kushtet që shkëndijë ti vërë flakën të gjithë rajonit. Shtetet perëndimore që mbështesin Prishtinën duhet ta dinë këtë”, tha Vuçiç.
Numri një i Beogradit dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaci kanë folur për idenë e “korrigjimit të kufijve”,që nga analistët janë interpretuar si synime për shkëmbim territoresh. Në Kosovë, parlamenti ka miratuar një platformë për bisedimet me Serbinë duke vënë vijat e kuqe, përtej të cilave Kosova nuk mund të diskutojë.
“Nuk dua të flasë për vija të kuqe, por kemi shumë të tilla, ashtu sikundër ka edhe Kosova. Por nuk dua të flasë për to, sepse kjo i dëmton bisedimet. Kemi shumë dhe nuk jemi askund afër ndonjë marrëveshjeje. Nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi marrëveshje të propozuar, nuk kemi asgjë në këtë moment. Nuk do të shkatërrojë mundësinë për të biseduar, sepse bisedimet e mbajnë gjallë Serbinë”, tha Presidenti i Serbisë.
Vuçiç u shpreh i bindur se së shpejti mund të ketë disa nisma të reja gjermano franceze apo europiane rreth kësaj çështjeje. Ai e pranoi se e ardhmja europiane e Serbisë varet nga negociatat me Prishtinën.