Bota Vuçiç i shqetësuar: Po përgatitet sërish “Beteja e Stalingradit”, nuk e di...

Vuçiç i shqetësuar: Po përgatitet sërish “Beteja e Stalingradit”, nuk e di me kë do të rreshtohemi ne serbët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka paralajmëruar se po përgatitet sërish “Beteja e Stalingradit”.

Në prezantimin e librit “Veprat e mbledhura të Milorad Ekmeçiqit”, presidenti serb shprehu shqetësimin se kjo mund të vijë më shpejt nga sa pritet.

“Kam frikë se beteja e Stalingradit do të vijë me të vërtetë dhe më shpejt nga sa pritej kushdo, dhe jam shumë i shqetësuar për rezultatin e asaj Beteje të Stalingradit, për herë të parë në histori, shumë më i shqetësuar duke ditur se çfarë po vjen nga njëra anë dhe tjetra, duke mos dyshuar në guximin e askujt”, ka deklaruar Vuçiç, raporton Euroneës Serbia.

Ai thekson se Serbia po përballet me periudhën më të vështirë se ajo e viteve 1990 dhe për pozicionimin e serbëve.

“Mbetet të shihet çfarë do të bëjmë ne serbët, ku do të jemi me veten, a do të arrijmë të ruajmë bregun e djathtë dhe të majtë të Danubit, për veten tonë, për popullin tonë dhe jo për askënd tjetër, kjo duhet të jetë gjeja më e rëndësishme për ne dhe se me atë zotim dhe besim, ne shikojmë nga e ardhmja. Në fund do ta shihni se kush do të sillet, si do të sillet dhe me sa guxim dhe guxim do të marrin pjesë në atë proces, e gjithë kjo, pavarësisht se çfarë vendimesh kemi marrë, nëse i kam marrë, nuk do ta ndryshojë faktin se kam më shumë frikë se kurrë nga ajo që është përballë Serbisë”, tha Vuçiç.

Me një total prej dy milionë viktimash në të dy krahët, Stalingradi konsiderohet beteja më e përgjakshme në historinë e njerëzimit.

Në Betejën e Stalingradit në Luftën e Dytë Botërore, që u zhvillua nga 23 gushti i vitit 1942 deri më 2 shkurt të vitit 1943, humbën afro 2 milionë persona. Kjo njihet si beteja më e përgjakshme në historinë e njerëzimit. Gjermania naziste me aleatët e saj kishte luftuar për ta marrë nën kontroll qytetin Stalingrad të Bashkimit Sovjetik, qytet që tani njihet si Volgograd.