Kosova dënon deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili paralajmëronte për një konflikt të mundshëm të ngjashëm me atë në Nagorno Karabak nëse dështonte dialogu mes palëve.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri apel për reagim ndërkombëtar. “Pres që Bashkimi Europian dhe NATO t’i kundërpërgjigjen këtij kërcënimi për luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiç”, shkruan Osmani në Twitter.
Një reagim më i ashpër erdhi nga ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
“Politikat e këlyshit të Rusisë dhe qasja e tij është qartësisht kundër vlerave të BE-së dhe NATO-s si dhe politikave të sigurisë në Ballkan”, shkruan Stublla në Twitter e cila shton: “Pasi nxiti luftimet në Nagorno-Karabak me armët serbe, tani Vuçiç, ministri i Informacionit i Milosheviçit, kërcënon të gjithë NATO-n dhe vendet fqinje se do të vazhdojë të përgatitet ushtarakisht për luftërat e reja në Ballkan”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk janë në dobi të normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve, arritjes së marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke.
Kryeministri Hoti tha se deklarimi është në kundërshtim me të gjitha zotimet që Serbia i ka bërë, “nën garancitë e faktorit ndërkombëtar, për paqen e qëndrueshme dhe zhvillimin ekonomik të rajonit”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojnë ndaj këtyre provokimeve”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Hotit.
Pandeli Majko komenton deklaratën e Vuçiç: I papërgjegjshëm, përcaktoi se konflikti me shqiptarët nuk ka mbaruar ende. Nëse dikush shkon pas idesë…
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko e ka cilësuar si të papërgjegjshme deklaratën e Vuçiç për ‘konfliktin e ngrirë’ me Kosovën.
Majko thotë se Vuçiç me atë frazë ka përcaktuar se konflikti i Serbisë me shqiptarët nuk ka përfunduar ende. Për të kjo është një shmangie e deklaratës së firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe procesit të integrimit europian.
Po si Ministër i Diasporës, Majko paralajmëron se në rast se dikush shkon pas idesë së skenarit të konfliktit, edhe mendje e ftohta logjistike në Serbi e kuptojnë gatishmërinë shqiptarëve në disa shtete.
Sipas Majkos, në rast të këtij skenari, konfliktit do i dihet fillimi por jo fundi.
Kosova dhe Serbia, qysh në vitin 2011, janë angazhuar në një dialog që synon normalizimin e marrëdhënieve me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Vuçiç tha të enjten se zgjidhja më e mirë e mundshme është përmes dialogut, “në të kundërtën mund të na ndodhë ndonjë konflikt”.
“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, tha Vuçiç.
Nagorno Karabaku njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por qeveriset nga armenët etnikë, me mbështetjen e Qeverisë armene.
Dy vendet janë duke luftuar për kontrollin e tij qysh në fund të shtatorit, ndonëse këtë javë është shpallur një marrëveshje për armëpushim.